Pamje e re e Peqinit pas 16-vitesh mungesë investimesh

Aktualisht në këtë bashki, me financim të këtij programi, janë duke u kryer disa investime në infrastrukturën rrugore, dhe në sistemimin dhe rehabilitimin e disa shesheve në qytet.
Burime nga bashkia e Peqinit bëjnë me dije se brenda 6 muajve do të përfundojnë punimet e nisura tashmë, falë projektit të Rilindjes Urbane të Qyteteve.
Në ndihmë të këtij projekti ka nisur tanimë prishja e 16 ndërtimeve pa leje në qytet si dhe 12 objekte do të shpronësohen. Ndryshimet që vijnë nga investimi përfshijnë asfaltim, pistë biçkletash, ndriçim me panele diellore .
Pamja e qytetit do të ndryshojë sidomos në rrugën hyrëse që lidh Peqinin me Elbasanin (për 2.7 km shtrihet investimi).
Po kështu, ka filluar edhe rehabilitimi i unazës së qytetit, i sheshit para Kalasë. Fondi i vënë në dispozicion për këto projekte arrin vlerën e 1,5 miliardë lekë. Peqini shtrihet në pjesën qendrore të Shqipërisë, por që për shumë vite nuk ka pasur asnjë investim nga qeveritë e mëparshme.

